Vajza e së moshuarës që u rrah në Pejë shprehet e tronditur dhe e tmerruar për rastin





Vajza e të moshuarës e cila është keqtrajtuar nga punëtoret e Qendrës për të Moshuar në Pejë” Orenda”, është shprehur e tronditur për rastin.

Në një linjë direkte me RTV Dukagjini, vajza e të moshuarës është shprehur e tmerruar dhe në një gjendje jo të mirë emocionale.

Telefonin e saj e ka kapur pas pak çasteve, bashkëshorti, i cili ka thënë se me të marrë informatën ka lajmëruar policinë në rajonin e Gjakovës.

“E kam lajmëruar policinë e Gjakovës, siç duket e kanë arrestuar, të shohim tash kush është ajo pse është përdorur ajo dhunë”, ka thënë dhëndri i të moshuarës.

Zëdhënësi i Policisë në Pejë, Fadil Gashi për Portali Dukagjini ka konfirmuar se janë arrestuar dy të dyshuarat në lidhje me rastin e keqtrajtimit të moshuarës në shtëpinë e pleqve në Pejë.

Ai ka bërë të ditur se është arrestuar e dyshuara e cila shihet në video duke e keqtrajtuar të moshuarën si dhe përgjegjësja kryesore e shtëpisë së pleqve në Pejë si e dyshuar për mos-raportim të rastit.

Punëtoret e Qendrës për të Moshuar në Pejë “Orenda”, kanë rrahur fizikisht një të moshuar.

RTV Dukagjini ka kontaktuar me këtë Qendër, ku infermierja kryesore nuk ka mohuar se e njëjta është xhiruar aty, duke thënë vetëm se menaxheri do të japë sqarime më vonë.

Në videon që po qarkullon në rrjete sociale shihet se si një nga punonjëset e sulmon një grua të moshuar duke e goditur me shuplaka dhe shqelma.

Ndërkaq për këtë rast është kontaktuar edhe Policia e Kosovës por që deri në publikimin e lajmit nuk ka dhënë ndonjë infomacion.

Ndërkaq, Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi ka thënë se janë duke e verifikuar rastin dhe duke u marrë me të.

“Nuk mund te konfirmoje ende se eshte arrestuar dikush por vetem se kryeprokurori tashme ka angazhuar 2 prokurore te cilet bashke me njesite policore jane ne vendngjarje ku mendohet se eshte incizuar video qe ka dal ne media”.